Me lotët e pafajësisë e vegjëlisë së tyre, këto dy motra kërkojnë vëllain e tyre të vogël.
Adora 7 vjeç dhe Ajsi 5 vjeçe, nuk e shohin Valdrinin prej mëse një muaji. Sa përmendet emri i vëllait të vogël, ato menjëherë trishtohen, mbushen me lot.
“Ne u gëzuam shumë kur morëm vesh që mami do të bënte një vëlla. Unë e dua shumë, vëllai im është zemra vogël për mua. Mua më ka marrë malli shumë për Valdrinin, unë me Valdrinin luanim me lodra, unë e bëja Valdrinin për të qeshur.”, thotë me lotët që i rrjedhin në faqe motra e madhe e Valdrinit, Adora 7 vjeçe.
“Kam një muaj pa e parë vëllain. Tani që Valdrini nuk është në shtëpi, unë qaj”, thotë mes lotëve Ajsi 5 vjeçe.
E përmes lotëve të tyre, këto dy vogëlushe kërkojnë që vëllai i tyre të mund të shërohet, të mund të kthehet sërish në shtëpi.
“Unë dua që ai të vijë, të kthehet në shtëpi.”-thotë 7 vjeçarja.