“100% të karikuar” Silvinjo flet për sfidën me Italinë në Euro24, çfarë ndodh pas kuintave

Pas fitores 3-0 të miqësores me Liechtenstein, trajneri Silvinjo mblodhi ekipin mbrëmjen e të martës për t’u mbërthyer para ekranit, me një qëllim fare të qartë… të ndjekin me vëmendje lëvizjet e kundërshtarit të parë në Euro24.

Kuqezinjtë e Silvinjo ndoqën në detaje lëvizjet dhe taktikat e Italisë në përballjen e saj miqësore me Turqinë, një ndeshje e cila përfundoi pa gola.

Ditët ikin me shpejtësi dhe përballja e 14 qershorit do të jetë e rëndësisë së madhe për Shqipërinë dhe Italinë. Nëse Shqipëria humb, shanset për t’u kualifikuar në etapën e dytë në Euro24, bien ndjeshëm.

Por duket se kuqezinjtë dhe trajneri Silvinjo, po shkojnë drejt kampionatit Europian me një bindje të qartë, të luftojnë për fitore, pavarësisht forcës së kundërshtarit.

Në një konferencë për median të enjten, tekniku i kuqezinjve tha se ekipi është 100% gati dhe i karikuar për t’u përballur në Euro24.

“Shkojmë për të marrë pjesë në një turne shumë të rëndësishëm dhe ne duhet ta shijojmë sa më shumë dhe me përgjegjësi dhe të provojmë të marrim më të mirën. Përsa i përket përgatitjeve jemi shumë të kënaqur me kushtet dhe për mënyrën se si po punojmë. Të gjithë lojtarët janë të karikuar, motivuar dhe fokusuar tek puna e tyre. Lojtarët kanë marrë ngarkesën e duhur, motivimi që kemi parë është i duhuri. Fakti që luajmë me Italinë të jeni të sigurt që karikimi është 100% dhe motivimi është shumë i madh.

Dhe unë kur isha fëmijë në vitin 1982, mbaj mend kam parë ndeshjen Brazil-Itali, një nga ndeshjet më të bukura dhe Brazili humbi atë ndeshje, kishte shumë lojtarë që luanin në Itali dhe nuk ishte e nevojshme të luanin në Seria A për të pasur motivimin e duhur, fakti që luajmë kundër atyre të jep motivimin e duhur.

Italia ka fanellë të rëndë, skuadër favorite por e rëndësishme është të përgatitemi mirë. Të gjitha energjitë tona janë të fokusuara tek Italia, Kroacia dhe Spanja, me shpresën përtë vazhduar përpara dhe të jemi 100% të fokusuar.”-tha Silvinjo

I pyetur për rinovimin e kontratës së tij, Silvinjo tha:

“Nuk jam i shqetësuar për pjesën e kontratës, është një gjë fantastike që përfaqësojmë Shqipërinë në këtë Europian. I gjithë ky rrugëtim ka qenë i bukur pas kualifikimit, pjesëmarrja në shortin e Euros, fakti që po përfaqësojmë Shqipërinë është një gjë e bukur dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë. E rëndësishme për ne është punojmë fort dhe është nder të përjetojmë këtë eksperiencë të bukur. Raporti ynë me presidentin Duka është shumë i bukur”