Një akt i mirë, sado i vogël qoftë, nuk shkon kurrë dëm.
Me qëllim të mirë, zjarrfikësit në qytetin e Denverit janë bërë bashkë për të bërë një akt bamirësie që ka gëzuar plot 1 mijë familje, e në veçanti fëmijët.
Falë dhurimeve të tyre, zjarrfikësit kanë mundur të blejnë plot 1 mijë xhupa të cilat ia kanë dhuruar 1 mijë fëmijëve në shkollat fillore të qytetit.
Iniciativa u mor nga zjarrfikësit Majkëll Knekt, i cili ka lindur e është rritur në Alaska, një prej vendeve më të ftohta në botë.
“Kuptimi pas këtij akti është që të sigurohemi që asnjë fëmijë nuk mbetet pa një xhup a pallto në dimër. Nuk më pëlqen të shoh fëmijët që luajnë në të ftohtë pa diçka që mundet t’i mbajë ngrohtë”-tha zjarrfikësi për median lokale.
Kjo nuk është hera e parë që zjarrfikësit ndihmojnë fëmijët e familjet e pamundura. Vitin e kaluar ata blenë afro 500 xhupa e pallto për fëmijët, ndërsa sivjet vendosën që ta dyfishojnë aktin e tyre të mirë.