12 minatorë të Trepçës lëndohen nga rrjedhja e acidit sulfurik

12 minatorë janë lënduar si pasojë e një aksidenti në Minierën e Trepçës. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Mitrovicës ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.

Rastin e konfirmoi dhe ndërmarrja ‘Trepça’ e cila përmes një njoftimi zyrtar sqaroi se rreth orës së mesditës së të mërkurës, ka ndodhur një aksident gjatë pastrimit të gypave të pompave, gjë që ka bërë që minatorët të lëndohen nga rrjedhja e acidit sulfurik.

Dy prej të lënduarve kanë marrë dëme më serioze, ndërsa të tjerët lëndime më të vogla.

“Sot me datë 17.01.2024, në minierën e Stantërg-ut në ora 12:35 h, në horizontin e XI, ka ndodhur një aksident gjatë pastrimit të gypave të pompave me acid sulfurik. Gjatë mirëmbajtjes së gypave ka ndodhur rrjedhje e acidit sulfurik nga bombola, me ç ‘rast janë lënduar 12 punëtorë të minierës së Stantërg-ut

Nga stafi i mjekëve kompetent u njoftuam se gjendja e punëtorëve të lënduar është në përmirësim e sipër, tetë prej tyre janë me lëndime më të lehta të cilët po marrin trajtimin mjekësor në emergjencë dhe dy prej tyre janë me lëndime më të rënda por të mjekueshme të cilët po marrin trajtimin mjekësor në qendrën e oftalmologjisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”, thotë njoftimi i Trepçës.