15 vjeçari u godit me thikë në zemër, si nisi sherri që u kthye në tragjedi në Gramsh

Jeta e Fatjonit u shua para kohe e shkak u bë një sherr me të cilin ai vetë nuk kishte patur lidhje. Një grindje në rrjetet sociale mes kushëririt të 15 vjeçarit të ndjerë dhe disa djemve nga fshati Drizë, ka qenë arsyeja se përse ditën e djeshme, fare pranë shkollës “Asllan Shahini”, jeta e 15 vjeçarit do të prehej në mes.

Kushëriri ka takuar Fatjonin, i cili sapo kishte përfunduar mësimin në atë kohë. Ai e ka vënë në dijeni të ndjerin se kishte bërë sherr me disa adoleshentë të tjerë. Kur adoleshentët janë takuar, ka nisur një përplasje fizike dhe njëri nga të rinjtë, me inicialet E.k, e ka qëlluar Fatjonin me thikë në zemër. I ndjeri ka ecur për disa metra i plagosur dhe mandej është rrëzuar.

Ka qenë një qytetar, i cili ka njotuar ambulancën. Fatjoni ka mbërritur në spital, por fatkeqësisht ka humbur jetën. Kushëriri i Fatjonit mbeti i lënduar dhe po ashtu u dërgua në spital. Ai është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë 4 të rinjtë që kishin ardhur me thika e doreza hekuri, janë arrestuar tashmë dhe do të përballen me ligjin.

Mbi rastin reagoi dhe shkolla 9 vjeçare, e cila përmes një njoftimi në rrjetet sociale përcolli këtë mesazh:

“Jemi thellësisht të tronditur, nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot në qytetin tonë, në të cilën humbi jetën Fationi, nxënës në klasën e IX.

Fationi mbaroi mësimin,si çdo ditë tjetër, u interesua duke pyetur rojen e shkollës, se a ishte larguar nga shkolla motra e tij më e vogël,nxënëse në klasën e IV,e pasi u sigurua se ajo ishte larguar,u nis për në shtëpi.

Në mes të lagjes,në mes të ditës,moshatarë të tij, nxënës edhe këta nga shkolla e fshatit Drize, konfliktuohen për biseda banale në rrjetet sociale dhe konflikti kthehet në tragjedi…

Fationi u ndodh rastesisht aty, duke mos qënë ai pjesë e konfliktit në rrjetet sociale, por një i afërmi i tij. Ai u përpoq t’i ndante në grindje e sipër, por përfundoi viktima e këtij sherri banal.

Fationi u nis sot drejt Parajsës…

Do na mungosh të gjithëve,Fation i dashur!

Të qoftë dheu i lehte,o engjëll! !”-thuhej në mesazh.