Mbrëmjen e djeshme në një lokal në Don Bosko në Tiranë u regjistruan disa të shtëna breshëri me armë automatike. Plumbat që besohet se ishin drejtuar për pronarin e lokalit (Fatjon Murati) dhe të afërmit e tij, i morën jetën një gruaje të pafajshme.
58 vjeçarja Mimoza Paja kishte afro dy javë që kishte nisur punë në lokal. Në mesin e të lënduarve, ishte dhe mbesa e saj, një vajzë 10 vjeçare e cila u lëndua nga copat e xhamave (thyer nga plumbat). Veç të miturën u lënduan edhe 4 persona të tjerë, disa prej tyre të afërm të Muratit. Ky i fundit nuk ndodhej në lokal në momentin e atentatit.
E ndjera ishte në vështirësi ekonomike dhe punonte për bukën e gojës. Ajo kujdesej po ashtu edhe për mbesën e saj, ndërsa i shoqi i kishte ndërruar jetë pak vite më parë.
“Mimoza ka vuajtur shumë, ka qenë shumë fukara, mblidhte kanaçe, për të larë qiranë. Kishte tre vajza, të treja të martuara. Mbesa që u lëndua në lokal ishte vajza e vajzës, të cilën e kishte shumë përzemër. E çonte në kopësht/shkollë, kujdesej për të. Kohët e fundit ka qenë dhe e sëmnurë, ngeli spitaleve. Mimoza jetonte me qira në këtë zonë, kishte 6 muaj pa paguar qiranë e shtëpisë.”-tha njëra prej fqinjave të së ndjerës.