Kjo grua në moshën 85 vjeçe, i ka vendosur vetes një sfidë tepër të vështirë fizike, si mënyrën më të mirë për të përballuar dhimbjen e pamatë shpirtërore… humbjen e tre fëmijëve të saj.
Mavis Paterson nga Galloway (Skoci) humbi dy djem dhe një vajzë brensa një harku kohor prej 4 vitesh. Në vitin 2012, i biri Sandy ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak, një vit më vonë e bija Katie vdiq prej pneumonisë dhe në vitin 2016, djali tjetër Bob, humbi jetën në një aksident rrugor.
Pak para se të mbushë 85 vjeç, kjo grua ka vendosur tashmë të kryejë një udhëtim me biçikletë përreth Skocisë, me një gjatësi prej 1 mijë miljesh ose 1,609 kilometrash.
Veç kujtimit për fëmijët e saj, e moshuara po pedalon me shpresën se historia e saj do të mund të prekë njerëzit e të mbledhë donacione. E moshuara do t’i japë për bamirësi paratë në qendrën e kujdesit për personat e prekur nga kanceri (Macmillan Cancer Care.) Për 20 vite me radhë, e moshuara ka qenë vetë dhuruese e përhershme për njerëzit e prekur nga kanceri, kjo pasi e ëma dhe e motra të dyja, ndërruan jetë prej sëmundjeve tumorale.
BBC i ka kushtuar një artikull historisë së saj, ndërsa e moshuara rrëfeu:
“Kur fëmijët e mi vdiqën, nuk dija se çfarë të bëja më… por çiklizmi më ka ndihmuar shumë. Mendoj gjithë kohën për ta, por më duhet të përballem me realitetin. Ndaj e kam marrë përsipër këtë sfidë, për të ndihmuar veten”