Një 17 vjeçare nga Durrësi ka humbur jetën në mënyrë tragjike, një ditë pasi u prek nga mengjiti akut.
Vajza u paraqit të shtunën në urgjencën e spitalit të Durrësit me simptoma si vjellje dhe dhimbje koke. Mjekët nisën trajtimin por pavarësisht të gjitha përpjekjeve, vajza ndërroi jetë një ditë më vonë në repartin infektiv në QSUT.
Mjekët treguan se vajza ishte prekur nga një formë e meningjitit e cila nuk shfaqej prej kohësh në qytet. Autoritetet kanë nisur punën me analiza laboratorike për të përcaktuar nëntipin e saktë të llojit të meningjitit.
Zyra vendore e arsimit në qytet ka marrë masa po ashtu për dezinfektimin e gjimnazit ku mësonte e ndjera. Njëkohësisht po gjurmohen personat me të cilat ajo ka patur kontakte kohët e fundit.
Ndërkohë gjimnazi ‘Leonik Tomeo’ ku mësonte 17-vjeçarja ka shprehur ngushëllimet përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta, të nxënëses tonë N.C., për arsye shëndetësore. Të gjithë u mblodhën për ti dhënë lamtumirën e fundit të mirës, të dashurës, të qeshurës, piktores tonë N. Është e vështirë të përshkruhet dhimbja qe ndjejmë të gjithë. Ky ishte një lajm i pabesueshëm.
Nuk është e lehtë të gjenden fjalët kur zemra është e rënduar nga humbja. N., do të na mungosh pafundësisht por do të jesh gjithmonë në zemrat tona.
Qoftë shpirti yt në paqe!
Ngushëllime familjarëve!