19 vjeçari nga Kosova goditet për vdekje me thikë në kufirin mes Kroacisë e Serbisë, çfarë dihet deri më tani

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në pikën kufitares mes Kroacisë e Serbisë, atje ku dy shqiptarë të Kosovës janë sulmuar nga një grup emigrantësh, e për pasojë njëri prej tyre ka humbur jetën.

Lajmi fillimisht u raportua në mediat e Serbisë, ndërsa më tutje mediat e Kosovës kanë konfirmuar se viktima është një 19 vjeçar me inicialet Sh.M, i cili aktualisht ndodhet në morgun e Novi Sadit.

19 vjeçari i ndjerë së bashku me mikun e tij ishin në zonën e Batrovcit, kur janë sulmuar nga disa emigrantë që kanë tentuar t’i plaçkisin fillimisht. Një shtetas nga Afganistani mendohet se ka qenë përsoni i cili ka goditur me thikë të riun. Emigranti është shpallur në kërkim.

Klan Kosova raporton se ka biseuar me mikun e të ndjerit, një kosovar nga Vushtrria i cili është kthyer sot në atdhe. Ngjarja ka nodhur pas kthimit të dy të rinjve shqiptarë nga autoritetet kroate në Serbi, pas orvatjes së dështuar për të kaluar ilegalisht drejt Gjermanisë.

Më herët mediumi serb “Blic”, raportoi se policia “është duke u kërkuar intensivisht” autorin e krimit, ndërsa ka përcjellë dhe fjalën e një dëshmitari atje, një shofer kamioni nga Bosnja.

“Pashë një burrë dhe një grup njerëzish që u gjendën në rrugën përballë kufirit dhe një burrë duke vrapuar. Pak më vonë, mes kamionëve, pashë një tjetër të ri që kishte rënë. Nuk isha i sigurt se çfarë po ndodhte dhe zakonisht nuk dalim nga kamioni në këtë pjesë të rrugës, veçanërisht natën, sepse ka emigrantë të fshehur në zonë. Policia ka ardhur rreth orës 22:00”, thotë një shofer kamioni nga Bosnja.