23 vjeçari rrezikon të mbytet në Himarë, momenti kur nxirret në breg nga roja bregdetare

Një i ri ka rrezikuar mbytjen në Himarë pasi ka rënë nga mjeti lundrues (Jet Ski) në det. Policia kufitare ka ndërhyrë në kohë dhe ka mundur ta shpëtojë 23 vjeçarin. Në ndihmë të të riut kishte shkuar dhe një pushues që lundronte me kanoe në afërsi të tij.

“Rreth orës 17:15, punonjësit e Policisë Kufitare në Himarë, gjatë patrullimit në hapësirën detare, kanë konstatuar një mjet lundrues tip Jet Ski, i cili po lundronte në drejtim të Porto Palermos në Himarë. Në një moment, shtetasi që lundronte ra nga Jet Ski duke rrezikuar mbytjen.

Menjëherë, mjeti lundrues i Policisë Kufitare dhe dy Jet Ski të Njësisë Policore Detare, u nisën me shpejtësi për t’i dhënë ndihmë shtetasit që ra nga Jet Ski në det. Në afërsi të këtij shtetasi lundronte me kanoe një shtetas i cili i shkoi në ndihmë së bashku me Policinë Kufitare.

Punonjësit e Policisë morën në mjetin lundrues 23-vjeçarin banues në Fier dhe e nxorën në molin e PKK Himarë në gjendje të mirë shëndetësore. Policia Kufitare nxori në mol edhe mjetin lundrues Jet Ski”, thuhet në njoftimin e policisë.