24 orë vrap pa ndalim në një pistë… prova e guximshme e ish- futbollistit bëhet për bamirësi

Ish futbollisti i Liverpool John Arne Riise ka arritur të bëjë diçka me të vërtetë të rrallë në moshën 44 vjeçare… dhe gjithçka për një kauzë të mirë.

Norvegjezi ka mundur të vrapojë për plot 24 orë rresht në një pistë vrapimi, një provë për të cilën ish futbollisti ishte përgatitur fizikisht për 4 muaj me radhë. Riise arriti ta kryejë vrapin sfilitës e në fund të saj përshkroi plot 172 kilometra.

Riise e kreu këtë sfidë të vështirë për një qëllim fisnik, për të grumbulluara para të cilat do të shkojnë për bamirësi. Ish futbollisti arriti të mbledhë mbi 20 mijë dollarë që do t’i shkojnë një organizate bamirëse që mbështet njerëzit e prekur në shëndetin mendor.

Pas kësaj prove ekstreme, ai kishte vetëm një mendim në kokë:  të shtrihet e pushojë.

 “Tani do të shkoj në shtëpi, do të bëj një dush, do të vendos këmbët mbi divan, do të porosis kebabin më të madh ndonjëherë me salcë pikante, Pepsi Max, karamele dhe pastaj nuk do të lëviz për dy ditë.”-tha me tone humori ish futbollisti.