25 vite nga Masakra e Reçakut, ngjarja që ndryshoi historinë e Kosovës

Ishin orët e para të mëngjesit të 15 janarit 1999, kur në fshatin Reçak të Shtimës u dëgjuan të shtënat e para të armëve të zjarrit. Forcat policore e ushtarake serbe, nisën një aksion me qëllim masakrimin e terrorizimin e popullatës shqiptare, duke i marrë jetën të paktën 45 civilëve atje. Numri më i madh i viktimave gjendej në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë të tjerë u gjetën në të gjithë fshatin.

Mëngjesin e 16 janarit, në Reçak shkoi William Walker, atëkohë shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Ëalker ishte i pari i cili ngriti alarmin për krimet e rënda të kryera në Reçak, mbi përmasat e masakrës që u krye atje.

“Nga ajo që pashë personalisht, nuk hezitoj që ta përshkruaj ngjarjen si masakër, duket qartë, padyshim një krim i rëndë kundër njerëzimit” tha Walker.  

Trupat e viktimave u vendosën në xhaminë e fshatit nga familjarët. Në atë kohë policia serbe nuk e lejoi varrosjen e atyre që kishte masakruar, por i dërgoi në Prishtinë, për kryerjen e autopsive. E sipas autopsisë së kryer nga vetë pala serbe, ngjarja nuk ishte një masakër.

Por shumë shpejt pretendimet e agresorëve u hodhën poshtë, fill edhe pas një autopsie që u krye nga një ekip finlandez nën udhëheqjen e ekspertes Helena Renata. Masakra e Reçakut kësisoj u bë pika e kthesës në historinë e dhimbjes e vuajtjes së popullit shqiptar në Kosovë, teksa e gjithë bota dënoi vrasjet.

Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton, dënoi masakrën.

Ishte një akt i qëllimshëm dhe joselektiv i vrasjeve, i bërë për të krijuar frikë në mesin e popullit të Kosovës, tha Clinton.  

Në mars të 1999-tës forcat e NATO-s nisën bombardimin e bazave të ushtrisë serbe, duke shënuar kështu nisjen e çlirimit të Kosovës nga pushtuesit.

Sot e kësaj dite, Serbia vijon ende të mohojë Masakrën e Reçakut, duke e konsideruar një ngjarje “të trilluar”.