28 orë në det duke notuar nga Otranto në Vlorë, si paraqitet gjendja shëndetësore e Eva Buzos

Juristja shqiptaro-australiane e cila nuk mundi dot të përfundojë maratotën e notit Otranto- Vlorë, ndodhet aktualisht e shtruar në spitalin e Vlorës, në gjendje të stabilizuar.

Eva Buzo ndaloi afro 13 kilometër larg brigjeve të Vlorës, për shkak të problemeve shëndetësore, ardhur prej notimit për mëse 24 orë. Drejtuesi i reanimacionit në spitalin e Vlorës Edmond Breshani, iu përgjigj interesit të medias mbi gjendjen shëndetësore të juristes.

 “Erdhi në një gjendje me dridhje nga të ftohtit dhe lodhja. Kishte humbje lëngjesh ndoshta edhe për shkak të metabolizmit që është i shtuar për arsye të sforcos. Do t’i duhet rreth 4 orë për të marrë veten. Ne tashmë jemi duke e mbajtur me likuide, kompresa të ngrohta dhe ambient të freskët.

Në momentet e para që ka ardhur këtu, ajo mund të artikulonte por ne nuk komunikuam shumë sepse nuk donim ta lodhnim. Megjithatë, tentonte t’iu përgjigjej pyetjeve. Ishte në gjendje të lodhur jo se vuante nonjë problem shëndetësor. Kishte shenja në trup nga lodhja, nga goditja, nga pickimet që mund të ketë pasur, kishte disa njolla kinotike në trup. Nuk kishte nxirje, vetëm skuqje.

Aktualisht është në gjendje stabile nga ana hemodinamike. Është konshiente, pak e lodhur dhe me pak ethe nga lodhja. Por treguesit janë normal. Tensioni alteral, pulsi dhe treguesit e tjerë të gjendjes së përgjithshme janë mirë”-tha mjeku.