29 vjeçarja e dënuar i ofron 50.000$ të burgosurave të tjera, për vrasjen e prindërve e gjyshërve të saj

Një e burgosur në Florida të SHBA-ve po hetohet nga autoritetet, pasi akuzohet se ka kërkuar ndihmë për vrasjen e prindërve dhe gjyshërve të saj.

Tureygua Inaru, 29 vjeçe, hyri në burg në dhjetor të vitit të kaluar pasi kërcënoi se do të vriste kolegët e saj të punës. Tanimë ajo do të përballet me të tjera akuza, pasi i kërkoi ndihmë të burgosurave të tjera për të vrarë prindërit e gjyshërit. Gruaja u kishte thënë të burgosurave nëse njihnin vrasës me pagesë e se në këmbim do të përfitonin 50,000 dollarë.

Siç raportoi “Mirror”, 29 vjeçarja u tregonte të burgosurave se nëse prindërit e gjyshërit e saj do të vriteshin, ajo do të bëhej trashëgimtarja e një pasurie me vlerë 2 milionë dollarë.

Sherifi Marco Lopez shpjegoi për interesin e medias se 29 vjeçarja “sapo arriti në burg, u miqësua me të burgosurat në qeli dhe filloi t’i tregojë, se nëse dikush do t’i vriste prindërit e gjyshërit, do i paguante nga 50 mijë dollarë… e dënuara i ka treguar se familjarët janë të pasur si dhe u ka dhënë adresën”

Kanë qenë të burgosurat e tjera ato që e kanë denoncuar rastin duke njoftuar stafin e sigurisë. Të burgosurat kanë rrëfyer se 29 vjeçarja u kishte dhënë edhe udhëzime sesi vrasjet të dukeshin si grabitje.