Një 29 vjeçare shqiptare e quajtur Klevisa Ymeri, është dënuar me 4 vite burgim nga ana e një gjykate në Kroaci, pasi u shpall fajtore për një aksident automobilistik që i kushtoi jetën dy të rinjve në moshat 21 e 19 vjeçe, vëlla e motër.
Ngjarja tragjike ndodhi në muajin prill të këtij viti në zonën e Ratacit.
Pas një parakalimi të gabuar nga ana e Klevisa Ymerit, makina e saj u përplas kokë më kokë me një makinë tjetër ku udhëtonin Stjepan e Katarina Derek, vëlla e motër. Dy të rinjtë humbën jetën si pasojë e përplasjes. Ymeri ka arritur të dalë nga makina pas aksidentit, por më pas ka humbur ndjenjat.
Në fillim të seancës gjyqësore mbajtur më 1 tetor (diten e djeshme), Klevisa Ymeri pranoi fajin, por duke shtuar se “nuk është fajtore siç paraqitet në aktakuzën” e ngritur nga prokuroria. Gjatë dëshmisë së saj, Klevisa Ymeri tha se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.
“Ne po ecnim me shpejtësi 60 deri në 70 kilometra në orë dhe kur pashë se një Mercedes kishte parakaluar një automjet përpara meje, bëra shenjë të parakaloja dhe më pas pashë një automjet tjetër që vinte nga drejtimi kundërt me shpejtësi të lartë. U përpoqa të mos parakaloja, por gjithçka ndodhi shpejt dhe pati një përplasje,” tha 29 vjeçarja, duke shtuar së më tutje nuk mbante mend më gjë nga aksidenti si pasojë e tronditjes.
Në lidhje me dinamikën e aksidentit eksperti që ka qenë në vendin e ngjarjes ka nënvizuar se 29 vjeçarja shqiptare ka tentuar të mos parakalojë në momentin kur ka parë mjetin tjetër që i vinte përballë, por ka humbur kontrollin e makinës.
Pas verdiktit të gjykatës, familjarët e viktimave janë tronditur me dënimin e ulët që ka marrë 29 vjeçarja shqiptare. Përmes avokatit të tyre mbrojtës, ata kanë thënë se do ta apelojnë vendimin.
“Reagimi i familjes nuk është i mirë, ata prisnin një dënim shumë herë më të madh. Vendimi gjithsesi është ai që është. Do të flas me familjen kur ata të jenë më mirë pasi tani janë të tronditur. Ne do të vendosim më pas për hapat e mëtejshëm. Çdo palë ka të drejtën e apelimit dhe besoj se dhe kolegu im (avokati mbrojtës i shqiptares) do ta apelojë vendimin. Se çfarë do të vendosim ne, do të jetë për t’u parë pas konsultimeve. A do të ketë apel? Me gjasë po”-tha avokati mbrojtës i familjes Derek.