3 ditë helmim masiv në Dibër: Mbi 200 banorë me të vjella e diarre, zbardhet shkaku

Mbi 200 banorë të një sërë fshatrash të Dibrës kanë përfunduar në urgjencën e spitalit me shenja të helmimit përgjatë tre ditëve të fundit.

Helmimi i cili besohet se ka ardhur nga ndotja e ujit të pijshëm, nisi të hënën (7 tetor). Deri të mërkurën (10 tetor) në spital janë paraqitur mbi 200 banorë me të vjella dhe diarre. Në mesin e të helmuarve 5 fëmijë dhe një i rritur ndodhen në gjendje më të rënduar, të hospitalizuar.

Në lidhje me shkakun, prefekti Nexhbedin Shehu tha se janë prekur 8 fshatra. Në analizat e ujit në ujësjellësin e Sopanikës është gjetur ngarkesë mikrobakteriale, e cila dyshohet se është kontaminuar për shkak të reshjeve të shut.

“Janë të prekur 8 fshatra, 3-4 mijë banorë, me probleme si heqje barku e të vjella. Ditën e parë 100 qytetarë që kanë kërkuar ndihmë kanë marrë serume ditor, dje kanë qenë 10 persona të tjerë. Kanë dalë analizat e ujit të Ujësjellësit të Sopanikës që furnizon këto fshatra dhe ka ngarkesë mikrobakteriale. Pra uji nuk është i pijshëm”, tha prefekti.

“Dyshohet se ka hyrë uji i shiut i kontaminuar në depo. Gjatë ditës së djeshme të gjitha depot janë dezifenktuar me klor”, shtoi ai.