300 banesa banesa të përmbytura në Durrës, flasin banorët: Në shtëpi po rrimë me çizme

Ditën e mërkurë thuajse i gjithë vendi u përfshi nga reshje të dendura të shiut, ndërsa në disa qytete pati përmbytje. Qyteti më i goditur ka qenë Durrësi, atje ku janë përmbytur afro 300 banesa.

Shumica e shtëpive të përmbytura (200 syresh) ndodhen në zonën e Durrësit të Ri, 60 në  zonën e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtepi në Rrashbull.

Pamjet me dron, tregojnë dhe përmasat e përmbytjeve në Durrës

Një prej banorëve të përmbytur, ka treguar për median se problemi kryesor nuk janë reshjet e shiut, po sistemi i kanalizimit.

 “Jemi përmbytur edhe herë të tjera, por jo në këtë masë që jemi përmbytur këtë herë. Problemi është kanali kryesor që del nga shtrati dhe na përmbyt, nuk janë reshjet e shiut. Na ka hyrë uji brenda, kemi ngelur gjithë natën nëpër dritare. Shteti duhet të ndërhyjë për kanalin, Bashkia Durrës ta vendosë në projekt kanalin, është hera e tretë që na përmbyt.”-tha një banor.

Një tjetër  tha se kjo është hera e disatë që përmbyten, ndërsa në shtëpi po rrinë me çizme.

“Edhe brenda në shtëpi rrimë me çizme, ka dëmtuar çdo gjë që ka kapur uji. Jemi përmbytur se uji në kanal ka dalë sipër rrugës. Kanalet kulluese i mbyllën kur u bë rruga, kërkuam që të futej një tubacion, por nuk pranuan. Kanali i madh nuk e përballon, kanalet kulluese e dërgonin ujin tek një kanal tjetër”, shtoi një tjetër.

 Njoftimi i Bashkisë Durrës: 

Të gjitha grupet tona, mjetet e rënda, punonjësit e ndërmarrjeve dhe zjarrfikësit janë në terren duke punuar për largimin e ujit nga banesat. Aktualisht prania e ujit është në shumë banesa në zonën e Durresit te Ri, Shkozet, Nishtulla, kryqëzimi pranë IEVP.

Uji ka hyrë në rreth 300 banesa në total, nga të cilat 200 shtëpi janë ne zonën e Durrësit të Ri, 60 në zonen e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtepi në Rrashbull. Teksa situata në akset kryesore rrugore në Durrës është normalizuar, zona e Durrësit te Ri, Nishtulla, Shkozet dhe Plazh ka problematika.