Nëse kujtoni se kamera në celularin tuaj të ri është e fuqishme, nuk keni parë këtë kamera që peshon 3 ton dhe është më e madhe se një makinë…
Shkencëtarët dhe inxhinierët e SLAC kanë njoftuar se ka përfunduar puna për ndërtimin e kameras më të fuqishme të prodhuar ndonjëherë.
Me një kapacitet prej 3200 megapiksel, Kamera LSST (Legacy Survey of Space and Time) tanimë është gati për t’u montuar në një observator në malet e Andeve, mbi 2700 m në lartësi.
Kamera ka një sensor dixhital dhe lente masive të krijuara nga një konglomerat shkencëtarësh, inxhinierësh e institucionesh, nga Franca deri në SHBA.
LSST do të vendoset në fund të këtij viti në obervatorin “Vera C Rubin” në Kili dhe do të operojë për 10 vitet e ardhshme.
Në fokus të punës shkencore, do të jetë detajimi i imazheve të hemisferës jugore qiellore.
“Me përfundimin e kameras, do të jemi të aftë të prodhojmë filmimet më të bukura të të gjitha kohërave, imazhet më informative të qiellit”-tha drejtuesi i observatorit, profesori i Universitetit të Uashingtonit, Željko Ivezić.
Falë kapaciteteve të saj të fuqishme, kamera do të mund të krijojë një hartë më të qartë të Universit, shpërndarjen e galaktikave dhe në thelb, të mbushë boshllëqet e mbetura në vëzhgimin e qiejve.
Me rëndësi të madhe është dhe studimi i sistemit tonë diellor, për krijimin e një harte më të detajuar dhe identifikimin e objekteve të vogla në sistem, veçanërisht asteroidet që nesër apo më vonë, mund të jenë një rrezik për planetin.