37 dele të ngordhura e 4 të plagosur në Levan, shoferi që shkaktoi aksidentin ishte i dehur

37 krerë dele dhe 4 persona mbetën të plagosur në një aksident që ndodhi mbrëmjen e të dielës në rrugën Levan-Pishporo, në afërsi të fshatit Qarr.

Një 26 vjeçar i identifikuar si Leonard Dhimo është përplasur me dy automjete të tjera në rrugë, ndërsa përpara ka marrë dhe një tufë me dele që po kalonte rrugën.

Për pasojë, 37 krerë bagëtie kanë ngordhur nga karambolimi i shumëfishtë, ndërsa 4 persona kanë mbetur të plagosur. Mes të lënduarve ka qenë dhe vetë shoferi 26 vjeçar i cili po ashtu është dërguar në spital. Ai dyshohet se udhëtonte me shpejtësi dhe siç kanë bërë me dije autoritetet të hënën, 26 vjeçari ka rezultuar se ka qenë në gjendje të dehur gjatë drejtimit të automjetit.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor të ndodhur në aksin Levan-Qarr, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore Fier arrestuan shtetasin L. Dh., 26 vjeç, banues në fshatin Pishporo, sepse nga kryerja e testit të alkoolit, pas aksidentit, rezultoi se e drejtonte  automjetin, në gjendje të dehur”, thuhet në njoftimin zyrtar.