38 vjeçarja e qëlluar nga i shoqi në gjendje kritike, detajet e krimit në Korçë: Autori ende në arrati

Të tjera detaje janë mësuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme në Korçë, atje ku një 38 vjeçare u qëllua disa herë me thikë nga i shoqi. Marjola ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa mjekët kanë ndërhyrë përmes operacionit për të stabilizuar gjendjen e saj shëndetësore. Do të duhen 2 ditë për të parë nëse e reja, nënë fëmijësh, do të dalë nga rreziku për jetën.

Ndërkohë bashkëshorti i saj, Aleko Myrtollari, u arratis fill pas krimit të rëndë. Ende mbetet në arrati, ndërsa policia ka kryer kontrolle edhe në banesat e të afërmve të autorit të ngjarjes. Sipas disa dyshimeve, ka gjasa që ai të jetë larguar drejt Greqisë, atje ku punonte për disa muaj e rikthehej në atdhe.

Sipas të dhënave të mësuara nga hetimi, çifti kishte grindje e përplasje prej disa kohësh, e kjo për motive xhelozie. Çifti dhe fëmijët kanë jetuar në Tiranë, por janë kthyer në Korçë afro 1 muaj më parë.

Ka qenë vajza 16 vjeçare e çiftit që ka gjetur nënën të gjakosur në banesë dhe ka lajmëruar policinë. Më herë autori i dyshuar i ka larguar fëmijët nga shtëpia dhe mandej ka qëlluar me thikë bashkëshorten disa herë, në pjesë të ndryshme të trupit.