4 fëmijët mbijetuan për 40 ditë në xhungël… amaneti që i kishte lënë nëna para se të ndërronte jetë

Nëna e 4 fëmijëve që u shpëtuan pas 40 ditëve mmbijetesë në xhunglën e Amazonës ishte gjallë për 4 ditë, fill pasi avioni ku udhëtonin u rrëzua. Nëna e katër fëmijëve (në moshat 13, 9, 5 dhe 1 vjeç) u tha atyre që të iknin dhe të kërkonin ndihmë, teksa ajo po shuhej dalëngadalë si pasojë e plagëve që kishte marrë gjatë rrëzimit të avionit.

Fëmijët u dërguan në spital menjëherë pasi i gjetën nga forcat e ushtrisë kolumbiane në Amazonë. Vajza e madhe, 13 vjeçarja Lesly, tregoi se e ëma për 4 ditë ishte gjallë.

“E vetmja gjë që më ka shpjeguar Lesly, është fakti se nëna e saj ishte gjallë për 4 ditë”-tha babai i fëmijëve, Manuel Ranoque.

“Para se të vdiste, ime shoqe u ka thënë fëmijëve “largohuni nga këtu”-tha babai i 4 fëmijëve.

Të tjera detaje po ashtu kanë dalë në dritë këtë të hënë, siç raporton BBC-ja.  Fëmijët (më së shumti vajza e madhe 13 vjeçe) kishin arritur të krijonin një strehë për t’u mbrojtur nga shiu dhe elementët. Një prej anëtarëve të kërkim shpëtimit, shpjegoi për median vendase se fëmijët kishin qëndruar pranë lumit.

“Kishin ndërtuar një tendë të vogël, ndërsa në tokë kishin vendosur një peshqir. Kanë qëndruar pranë lumit, ndërsa vajza e madhe mblidhte ujë për vëllezërit me një shishe të vogël”-shpjegoi Henry Guerrero.

Fëmijët së bashku me nënën po udhëtonin në një avion të vogël Cessna 206, kur papritur motori i mjetit fluturues pësoi defekt dhe avioni ra në xhungël. Ngjarja ndodhi më 1 maj dhe për 40 ditë me radhë u zhvilluan kërkime për të gjetur fëmijët, të cilët nuk ndodheshin në vendin ku kishte rënë avioni.

Trupat e pajetë të nënës së fëmijëve si dhe i pilotëve, u gjetën pranë vendin ku ndodhi përplasja.