5 vjeçari shqiptar shpallet personi që ka lexuar më shumë libra në bibliotekën italiane në Prato

Matia është veçse 5 vjeç dhe pasioni i tij më i madh, është leximi. Biblioteka e Montemurlos (Prato-Itali) është kthyer në shtëpinë e tij të dytë. Brenda vitit vogëlushi ka arritur të lexojë plot 125 libra, duke u bërë fëmija që ka marrë e lexuar më shumë libra në të gjithë bibliotekën. Për vullnetin e tij të madh për leximin, biblioteka ‘Bartolomeo della Fonde’ i ka dhënë një çmim si ‘lexuesi i vitit’ vogëlushit 5 vjeçar.

Media italiane i ka dhënë hapësirë rastit të Matias, i cili në mesatare lexon një libër në tre ditë kohë. Në media shkruhet se Matia lexon së bashku me të vëllanë e tij dhe me të ëmën, Dorianën.

“Në të vërtetë Matia ende nuk di të lexojë mirë, por librat i do shumë, veçanërisht përrallat me kafshë. Së bashku shkojmë në bibliotekë dhe ai zgjedh vetë volumet që ka më shumë qejf. Çdo natë lexojmë së bashku. Një orë apo gjysëm orë lexim është një mënyrë shumë e mirë që t’i mbajmë djemtë larg telefonit, pasi librat i stimulojnë mendjen, fantazinë”-tregoi nëna e 5 vjeçarit.

Familja shqiptare jeton në Itali që prej vitit 2007. Nëna e djemve qëndron në shtëpi ndërsa i shoqi punon. “Im bir është apasionuar pas librave sepse qëkur ka qenë fare i vogël, ka parë vëllain të lexojë e studiojë, e kështu edhe ai ka krijuar një pasion për leximin.”-shtoi më tutje Doriana.