Kanë kaluar 52 ditë kur Anduena solli në jetë të bijën. 52 ditë nga momenti më i lumtur.
Kanë kaluar pesëdhjetë e dy netë, qëkur kjo nënë nuk fle gjumë. Siera erdhi në jetë dhe menjëherë u dërgua në inkubator. Gjendja e saj shëndetësore, tepër e rëndë.
Siera tani ndodhet në reanimacion. Mushkëritë e saj janë prekur nga një sëmundje e rrallë. Një cilindër xhami përreth kokës e kraharorit është bërë “mburoja” vogëlushes, ndërsa aparaturat në krah të shtratit japin oksigjen dhe masin parametrat jetësorë.
Përreth këtij xhami qëndrojnë pesëdhjetë e dy ditë e netë, pa lëvizur, krahët e nënës, Anduenës. Në mesin e lotëve e dëshpërimit, kjo nënë nuk ka çfarë tjetër të bëjë, veçse të lutet… të lutet për ndihmë.
Siera po shuhet, ndërsa mjekët thonë se i vetmi shpëtim është dërgimi i saj jashtë shtetit për kurim të specializuar. Familja thjesht nuk i ka mundësitë ekonomike për t’u përballur me faturën e madhe të shpenzimeve.