6 të plagosur pas përplasjes së makinës me autobusin në Qafë Thanë, vetura përfshihet nga flakët

Një aksident me 6 persona të lënduar ndodhi këtë të pasdite në Qafë Thanë, atje ku një autobus me pasagjerë është përplasur me një automjet. Vetura e cila drejtohej nga një 28 vjeçar papritur u përfshi nga flakët pas aksidentit. Të lënduarit ndodheshin të gjithë në makinën e të riut.

 “Prrenjas/Rreth orës 16:20, në aksin rrugor Qafë Thanë – Prrenjas, autobusi që drejtohej nga shtetasi I. A., 51 vjeç, me drejtim lëvizjeje Pogradec – Prrenjas, është përplasur me automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi I. M., 28 vjeç, me drejtim lëvizjeje nga Prrenjasi në drejtim të Pogradecit.

Si pasojë e aksidentit automjeti tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore. Gjithashtu, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtohej nga shtetasi I. A.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan dhe grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”-njoftoi policia.