Kishte veshur fustanin e saj të preferuar edhe pse ai ishte i grisur, i vjetëruar dhe me fije të dala… por ai fustan ishte ajo çka kishte. Ermela 10 vjeçe, vetëm deshi të djegë me çakmak fijet e fustanit të preferuar, pa e kuptuar se flakët do t’i shpërndaheshin në fustan, duke i djegur 70% të trupit. Djegiet ishin të gradës së tretë dhe me kalimin e kohës, plagët nisën t’i infektohen duke i vënë në rrezik serioz jetën.
“Për Shqiptarët” i doli në ndihmë vogëlushes, së bashku me mijëra e mijëra shqiptarë që bënë të mundur kurimin e specializuar të Ermelës së vogël jashtë shtetit, në Italinë fqinje.
Kanë kaluar disa muaj nga dita kur Ermela u shtrua për kurim. Tanimë ajo është kthyer në atdhe dhe është shëndoshë e mirë, gati për t’ju rikthyer jetës së përditshme.
Me mbërritjen e saj në aeroport, vogëlushja u përqafua me babain, gjyshin dhe vëllain që kishte aq shumë kohë që nuk e takonte.
Ermela: Sot jam shumë e lumtur që po takoj babain, vëllain e gjyshin. Tani unë jam shumë mirë. Më në fund do të kthehem në shkollë, do të luaj me vëllain tim.
Në emisisionin “Për Shqiptarët”, nëna e Ermelës tregoi momentet e vështira, kur pa me sytë e saj sesi iu dogj e bija.
Shpresa: Ermela ka patur një fustan veshur. Unë po vija djalin në gjumë, ndërsa vajza ka dashur të djegë fijet me çakmak. Fustani mori flakë. Ajo nisi të bërtasë, dola me vrap dhe munda t’i hedh një shishe ujë e t’i fik flakët. Në spital ajo qëndroi 2 muaj. Vajza nuk po bënte asnjë përmirësim. Ne kemi përjetuar një stres e një lodhje të madhe. Ne kontaktuam Fondacionin Firdeus.
Elvisi: Ermela ka shkuar atje me shanset 70-75% që nuk shërohej, por ne shpresat nuk i kemi humbur. Ermela është një nga rastet e mrekullisë, sepse shanset ishin që ajo të largohej nga kjo botë.
Ermela vogël erdhi në emisionin “Për Shqiptarët”, ndërsa buzëqeshja e saj ngrohu zemrat e të gjithë të pranishmëve.