Një 32 vjeçare italiane e quajtur Ottavia Piana ka arritur të shpëtojë e gjallë pasi qëndroi për 3 ditë e bllokuar në një sistem shpellash nëntokësore në Bergamo.
Gryaja e cila po eksploronte një zonë të panjohur të sistemit të shpellave në Abisso Bueno Fonteno, papritur u rrëzua nga një lartësi prej 5-6 metrash, duke pësuar dëme serioze në shtyllën kurrizore, këmbë e brinjë.
Më shumë se 150 vullnetarë morën pjesë në operacionin për shpëtimin e 32 vjeçares, operacion i cili zgjati plot 3 ditë derisa Piana u nxorr nga shpella e lidhur në një barrelë.
“Ajo është e lodhur, e sfilitur dhe në dhimbje, por kemi arritur ta shpëtojmë”-tha Giorgio Pannuzzo, një prej pjesëtarëve të ekipit të shpëtimit.
32 vjeçarja është speleologe (studiuese e shpellave) dhe ishte pjesë e një projekti për të krijuar harta për sistemin nëntokësor të shpellave në veri të Italisë.
Ekipet e shpëtimit treguan se ishte një garë me kohën për ta nxjerrë jashtë shpellës, për shkak të lëndimeve të saj. Dhjetra vullnetarë morën pjesë me radhë për të mbajtur barrelën e saj dhe për të pastruar pengesat e shumta që u dolën në rrugën e tyre.
Atyre iu desh të kalonin nëpër tunele të ngushta dhe në disa seksione, u desh përdorimi i ngarkesave të vogla shpërthyese për ta nxjerrë jashtë 32 vjeçaren.
Gruaja u transportuar menjëherë në spital me helikopter dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.