8 viktima, mijëra të evakuar dhe njerëz që ngjiten në çati… pamje nga përmbytjet në Italinë fqinje

Pasoja katastrofike kanë përjetuar disa zona në Italinë qendrore e veriore, për shkak të kushteve eksteme të motit. Goditur më rëndë nga përmbytjet, rezulton të jetë zona e Emilia Romanjës, ku deri më tani flitet për 8 viktima e disa të zhdukur.

14 lumenj të mëdhenj në Itali dolën nga shtrati, ndërsa shumë banorë kanë gjetur shpëtim vetëm duke u ngjitur nëpër tarracat apo çatitë e godinave ku banonin. Në disa prej qyteteve të goditura rëndë, kanë qenë vetë autoritetet që kanë lajmëruar banorët për t’u larguar nga katet e para, për të evituar të tjera humbje në jetë.

Si pasojë e reshjeve të dendura, vërshimet mbërritën deri në qendër të Bolonjas. Ndërkohë në veri të vendit, në Marke, autoritetet u detyruan të evakutojnë afro 12 mijë banorë.

“Është një situatë dramatike që prek më shumë se 30 komuna”-tha për skytg24, Ministri i Ambientit e Sigurisë Energjitike, duke shtuar se “dëmet janë masive”.

Media italiane vë në dukje se reshjet e shiut dhe përmbytjet kanë prekur një zonë të rëndësishme të agrikulturës e industrisë italiane. Prej përmbytjeve nuk ka “shpëtuar” as pista e garës së Formula1, që pritej të zhvillohej këtë fundjavë në Emilja Romanja. Gara është anulluar.