Itali: Përndiqte ish të shoqen, goditi me makinë policin… kush është mësuesi shqiptar që u vra nga karabinierët

“Quhej Haxhi Çollaku, ishte shqiptar dhe i kishte 55 vjet: Ditën e djeshme u vra me armë zjarri nga karabinierët, fill pasi kishte shkuar me thikë në shtëpinë e ish të shoqes e pasi shtypi me makinë një ndër oficerët që ndërhynë”

Kështu shkruan media italiane në lidhje me një ngjarje me fund tragjik në Padova. 55 vjeçari ishte ndarë me të shoqen që prej vitit 2009, por mesa duket nuk e kishte pranuar kurrë faktin. Në 14 vite, ai ishte denoncuar nga ish e shoqja për të paktën tre raste të përndjekjes.

Por dita e djeshme, do të ishte orvatja e tij e fundit. Burri mbërriti në shtëpinë e ish të shoqes me një furgon dhe i armatosur me thikë. Ish e shoqja (gjithashtu me origjinë shqiptare) arriti të telefonojë policinë kur pa poshtë shtëpisë furgonin e ish të shoqit.

Karabinierët mbërritën në vendin e ngjarjes, duke qenë në dijeni se gruaja kishte urdhër mbrojtje. Me të parë policinë, Çollaku hyri sërish në makinë. I dha gaz automjetit drejt patrullës dhe goditi me makinë një prej oficerëve, një 37 vjeçar. Pasi e goditi me makinë, Çollaku ka dalë prej mjetit dhe e ka kërcënuar duke iu drejtuar me thikën që mbante në dorë.

Në këtë moment, kolegu i 37 vjeçarit ka qëlluar me armë, duke e goditur 55 vjeçari në këmbë dhe bark.

Në vendin e ngjarjes vijnë ambulancat dhe dërgojnë në spital 55 vjeçarin si dhe oficerin e policisë. Haxhi Çollaku ndërron jetë, ndërsa oficeri 37 vjeçar vijon të qëndrojë i shtruar (jashtë rrezikut për jetën).

Media italiane ka pyetur banorët e fqinjët e zonës ku jetonte ish gruaja e të ndjerit. Kush e njeh gruan 50 vjeçe dhe vajzën e çiftit, thotë se janë dy persona “të buzëqeshur e të edukuar”. Për Haxhi Çollakun, i cili ka jetuar thuajse 20 vite më parë aty, askush nuk di gjë.

“Ai burri më duket ishte një inxhinier, por këtej nuk dukej. Vetëm njëherë e ka parë im shoq, që kishte ardhur me makinë”-tha një grua për Corriere della Sera.

Shumë të tjerë janë tronditur nga ajo që ndodhi: pavarësisht të gjithave, askush nuk e kishte imagjinuar se ngjarjet do të rridhnin në këtë mënyrë. Kryebashkiaku Sergio Giordani, shpjegoi: “Mësova nga karabinierët për ngjarjet e ndodhura, shpreh mbështetjen time e keqardhjen për oficerin që mbeti i lënduar seriozisht. Raste të tilla të dhunës janë një realitet tragjik që vijon ende të jetë i përditshëm. Qartësisht më vjen keq për përfundimin tragjik, por nga informacionet e marra deri më tani, duket evidente se pa ndërhyrjen e oficerëve, një tjetër grua do ishte viktimë”