Sherr për prishjen e martesës në Durrës, babai me nusen përplasen fizikisht me dhëndrin

Një rast dhune i cili mund të kishte përfunduar në gjakderdhje. Policia ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes dy familjeve në fshatin Arapaj të Durrësit. Shkak i konfliktit është bërë prishja e martesës mes një çifti të rinjsh.

Sipas policisë, babai dhe vajza e saj kanë shkuar në banesën e dhëndrit në Arapaj, me qëllim prishjen e martesës. Mes dy familjeve ka nisur konflikti fizik. Policia ka mundur të sekuestrojë në banesën e dhëndrit 33 vjeçar, një armë kallashnikov dhe disa dhjetëra fishekë. I riu është arrestuar, njëlloj si babai i nuses dhe një 59 vjeçare (e afërme e dhëndrit) e cila u përfshi në sherr. Nusja 20 vjeçare u procedua në gjendje të lirë për akuzën e ‘dhunës në familje”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Arapaj po ndodhte një konflikt mes dy familjeve, që mund të përshkallëzohej deri në përdorimin e armës së zjarrit, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim neutralizimin e këtij konflikti.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme në vendin e ngjarjes, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. U., 33 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”;

N. U., 59 vjeçe, banues në fshatin Arapaj, Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe podhimi i armëve, armëve shperthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna ne familje”;

G. D., 52 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Durrës, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen H. D., 20 vjeçe, banuese në fshatin Arapaj, Durrës, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. U., gjetën një armë zjarri kallashnikov dhe 30 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet e para rezulton se shtetasi G. D. dhe vajza e tij, shtetasja H. D. kanë shkuar në banesën e shtetasit K. U., në Arapaj, me qëllim prishjen e martesës së shtetasve H. D. dhe K. U. Në banesë, këta shtetas janë konfliktuar dhe kanë ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit dhe për pasojë kanë pësuar dëmtime fizike.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.