Sara Skënderi është 17 vjeçe dhe ka ndërmarrë një nismë të veçantë. E ftuar në “Abc-në e mëngjesit” Sara tregoi se ka dëshirë të bëjë një dhomë relaksi në repartin e Onkologjisë në QSUT-në e Tiranës.
Nisma e Sarës ka për frymëzim historinë e sprovat e të atit, i cili u prek 4 herë nga tumori. Fatmirësisht babai i Sarës tashmë është mirë me shëndet, por sëmundja e tij disavjeçare, e shtyu Sarën të orvatet për një vepër të mirë.
“Babi im ka qene i sëmurë katër here me tumor, kështu që unë kur isha 12 vjeç kisha dëshirë të bëja diçka në Spitalin Onkologjik, më shumë nga ndjesia që më vinte nga brenda, por më duheshe gjithmonë kjo çështja e fondeve. Edhe kur shkova te shkolla në Holandë, ata kanë shumë dëshirë që studentët të bëjnë shërbime në komunitet dhe ofronin një konkurs për të bërë 5 veta një projekt të vogël. Unë i prezantova projektin tim dhe ata më dhanë një fond të vogël që të bëja atë që kisha dëshirë dhe ideja ime ishte te dhoma e relaksit.
Duke parë babin dhe duke folur me të, kuptova që është shumë e vështirë ta kalosh kohën në një vend të mbyllur. Edhe janë orë dhe orë, ndonjëherë dhe muaj dhe duhet diçka që të heqi mendjen. Babi vetë u kurua në Itali dhe e kishte këtë dhomën, edhe unë nga Italia e mora këtë idenë.”-shpjegoi Sara.
Më tej, Skënderi u bëri thirrje qytetarëve që nëse kanë mundësi, të sjellin libra apo lojëra tavoline për t’i shtuar dhomës sa më shumë elementë rekreativë.
“Ne do të vëmë një bibliotekë dhe duam ndihmën nga njerëzit nëse kanë libra, lojëra, kemi një ide që të riciklojmë dhe mos t’i hedhim gjërat. Do e kompletojmë dhomën. Do të sjellim një dekoder për televizorin që njerëzit të kenë sa më shumë larmi. Secili e sheh relaksin në mënyrë të ndryshme. Pasi vizituam spitalin dhe ishte shumë vapë. Menduam të vendosim respirator në çdo dhomë spitali të këtij reparti”, u shpreh ajo.
Për më shumë, ndiqni videon e plotë, KETU