Zyrtarisht një vendbanim në Lin të Pogradecit, është deri më sot, më i vjetri në të gjithë kontinentin Evropian. Një grup arkeologësh nga Shqipëria e Zvicra (Universiteti i Bernës) kanë konfirmuar se vendbanimi palafit (ndërtim mbi pilota druri ngulur në liqen) është mbi 8500 vjeçar.

Arkeologu nga Zvicra Albert Hafner, tha se kemi të bëjmë me një vendbanim që zhvillonte bujqësinë e deri në 9 mijë vite më parë, afro 2 mijë vite para vendbanimeve të lashta të gjetura në Zvicër.
“Kemi që në 2021 që kërkojmë për gjurmët e fermerëve të hershëm që kanë jetuar këtu. Palafitet e zbuluara datojnë 6 mijë vjet para Krishtit, pra mund të themi se në Lin janë zhvilluar aktivitetet e para bujqësore në Evropë”-tha Hafner, i cili më tutje shtoi se “Këtu është zhvilluar bujqësia, që më pas është zhvendosur në Itali dhe në të gjithë Europën”

Vendbanimi rezulton të ketë qenë mbi ujor, ndërsa datimi është bërë falë analizave të karbonit, kryer nga pala zvicerane.
Kërkimet në këtë zonë do të vijojnë deri në vitin 2024.
