18 jetë të shuara, 114 të plagosur! 101 aksidente rrugore në Shqipëri vetëm në qershor, shumica shkaktohen nga të rinjtë

Vetëm në muajin qershor të këtij viti, janë shënuar plot 101 aksidente rrugore në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, 18 jetë janë shuar në rrugët e vendit, ndërsa 114 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Shumica e viktimave janë meshkujt (15), ndërsa 3 janë gra. Sipas institutit të statistikave, dita e premte mbetet ajo me më shumë aksidente në Shqipëri, me afro 20% të rasteve. E shtuna pason me numër aksidentesh, ndërsa dita me më pak ngjarje të tilla, është e mërkura.

Vendin e parë për numër aksidentesh e mban kryeqyteti me 44 të tilla, ndjekur nga Korça (11), Lezha (10). Berati e Shkodra regjistrojnë më pak aksidente përgjatë qershorit, me vetem nga një.

Në shumicën dërrmuese të rasteve, aksidentet shkaktohen si pasojë e sjelljes së drejtuesve të automjeteve (82% të rasteve). Shumica e drejtuesve që shkaktojnë aksidente, i përkasin moshave të reja (25-34 vjeç).

Përgjatë 6 muajve të fundit të këtij viti, u shënuan plot 528 aksidente rrugore, me mbi 700 persona të plagosur.