Tiranë, një djalë 13 vjeçar gjendet i pajetë në makinë… dyshimet e para

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të mërkurë në Babrru të Tiranës, atje ku një fëmijë 13 vjeçar ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta.

Vogëlushi është gjetur pa shenja jete në një makinë në garazhin e shtëpisë së familjes. Policia njoftoi se i mituri dyshohet të ketë humbur jetën si pasojë e asfiksisë.

 “Më datë 19.07.2023, në Babrru, është gjetur nga familjarët brenda automjetit në garazhin e banesës, pa shenja jete, një shtetas i mitur 13 vjeç. Paraprakisht dyshohet se vdekja është shkaktuar nga asfiksia. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë

Nga ajo që është mësuar deri më tani, djali ka qenë së bashku me të atin. Pranë shtëpisë kryefamiljari ka një servis automjetesh dhe ka qenë duke punuar në makinën ku u gjet vogëlushi. Dyshimet janë se 13 vjeçari mund të jetë asfiksuar si pasojë e erërave të rënda të makinës e pajisjeve rreth e rrotull.