Video, qytetarët filmojnë luaneshën në rrethinat e Berlinit, autoritetet vijojnë kërkimet për kapjen e kafshës së egër

Policia gjermane ka vijuar përgjatë gjithë ditës së djeshme kërkimet për gjetjen e një luaneshe, e cila besohet se ndodhet në rrethinat perëndimore të Berlinit.

Një video e cila ka nisur të qarkullojë online, tregon një moment të shkurtër ku macja e madhe dallohet në mes të disa shkurreve e pemëve.

“Policia po udhëtonte e fliste me megafon në rrugë gjatë mbrëmjes (dje). Në fillim ishte e paqartë për ne, nëse bëhej fjalë për ndonjë njeri në kërkim apo kafshë të egër. Ata (policia) thonin thjesht mbani dyert e dritaret e shtëpive të mbyllura dhe mos lini njeri brenda në banesë”-shpjegoi një banor i zonës ku dhe u filmua kafsha e egër.

Ende mbetet e paqartë se nga ka ardhur një luaneshë në mes të Gjermanisë, në një kohë kur asnjë prej kopshteve zoologjike e strehimoreve të kafshëve, ka deklaruar se macja e madhe nuk është e tyrja. Pak më herët, raporton BBC-ja, në “skenë” doli edhe një emër i njohur i botës së krimit në Gjermani. Një pjesëtar i familjes Remmo (djali i kokës së familjes) ka thënë se ai “mund ta dërgojë sërish në kafazin e saj luaneshën”.

Firas Remmo i bëri thirrje autoriteteve të mos e qëllojnë kafshën, por ta “vinin atë në dijeni në fillim” që ai të mund të ndërhyjë “përpara se ndonjë idiot ta qëllojë luaneshën”.

BBC thekson se kjo nuk është hera e parë që Firas Remmo ka qenë i lidhur me raste të posedimit të maceve të mëdha. Në dhjetorin e shkuar, ai postoi një video online të një tigri të vogël, duke bërë që policia të niste një hetim mbi çështjen,

Këtë të premte policia i ka shtuar edhe më tej kërkimet, duke nxjerrë në terren 100 oficerë policie, për gjetjen dhe kapjen e kafshës së egër.

Burimi: BBC/ Përshtati me disa shkurtime: FCH.al