Shëngjin, 12 pushues nga Kosova shfaqin shenja të helmimit, flasin mjekët e autoritetet përkatëse

12 shqiptarë të Kosovës të cilët kishin ardhur me pushime në një hotel në Shëngjin, kanë shfaqur shenja të helmimit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ndërsa pushuesit kanë mbërritur në ambientet spitalore për kurim.

Shenjat e shfaqura kanë qenë dobësia trupore, dhimbjet e kokës apo marrje mendsh. Fatmirësisht asnjë prej të prekurve nuk ka shfaqur shenja të rëndimit të shëndetit. Nje prej mjekëve që ndoqi pushuesit tha për median se të gjithë të prekurit janë kuruar.

“Si ankesa kishin marrje mendsh, dobësi të theksuara trupore, dhimbje koke, rëndim në epigastër, pa të vjella shumë, pa të dala diarreike dhe me parametra klinikë të mirë, përveç një tensioni relativisht të ulët. Kur janë paraqitur në urgjencë janë marrë bilanc analizash dhe është dhënë ndihma me perfuzione, me qetësues. Një trajtim i thjeshtë i ndihmës së parë duke pasur parasysh simptomat e tyre. Pasi është dhënë ndihma, në përgjithësi të gjithë kanë filluar duke u përmirësuar”-tha mjeku.

Ndërkohë këtë të premte, AKU e Lezhës ka kryer procedurat e nevojshme për të parë nëse helmimi ka ardhur si pasojë e ndonjë ushqimi në hotelin ku qëndronin pushuesit. Kreu i AKU-s në Lezhë, Besmir Frroku, tha se pas analizave, rezulton se nuk ka qenë ushqimi shkaku i helmimit të pushuesve.

“Ditën e djeshme jemi vënë në dijeni në rrugë jo zyrtare në lidhje me një dyshim të 12 personave të cilët kishin shkuar për të marrë mjekim në urgjencën e spitalit të Lezhës. Menjëherë, sapo jemi vënë në dijeni, kemi hapur një procedurë inspektimi dhe kemi kërkuar bashkëpunimin e Sektorit të Hetimit të Krimit nga Ushqimit. Kemi hapur një autorizim me një trupë prej 5 vetash dhe kemi shkuar menjëherë në subjekt.

Nga informacionet që kemi, intoksikacioni ose dyshimet që ishin, nuk kanë lidhje me ushqimin fare. Ne si AKU jemi vazhdimisht në terren. Ky biznes ishte kontrolluar në mënyrë periodike duke qenë se është subjeket që funksionon gjatë gjithë vitit. Nuk kemi konstatuar asnjëlloj problematike dhe as shkelje, kushtet ishin dhe frigoriferat ruanin parametrat e ftohjes. Ne përjashtojmë çdo lloj dyshimi nga helmimi nga ushqimi.”-tha zyrtari.

Një tjetër pistë ku po hetohet, janë dyshimet se pushuesit mund të jenë helmuar nga përdorimi i një pesticidi për desinsektimin e mushkonjave.