“S’dinin not, u mbytën duke tentuar të shpëtojnë njëri- tjetrin” Tragjedi në Gramsh, humbin jetën 4 persona

Një baba me dy djemtë si dhe nipin, kanë gjetur vdekjen në mënyrë tragjike në liqenin e hidrocentralit të Banjës, në fshatin Drizë të Gramshit. Lajmi i kobshëm erdhi në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa për nxjerrjen e trupave ndërhynë forcat e repartit RENEA.

Viktimat janë të gjithë familjarë, më konkretisht Arben Zogi, 46 vjeçar (babai), Rubens Zogu 19 vjeç, Esti Zogu 14 vjeçar (vëllezër e bijtë e Arbenit) si dhe Melis Zogu, 20 vjeçar (nipi Arbenit).

Babai me djemtë e nipin ishin larguar nga shtëpia rreth orës 15:00 të së premtes, por fatkeqësisht nuk u kthyen më në shtëpi. Shefi I zjarrfikëses në Gramsh, tha për median se viktimat nuk kanë ditur not dhe se kanë humbur jetën në tentativë për të shpëtuar njëri- tjetrin. Ai shtoi se liqeni nuk është për t’u larë, është I thellë dhe me gropa, duke nënkuptuar rrezikshmërinë e tij.

“Ngjarja është shumë e rëndë. Babai me gjithë dy djemtë e vet kanë ardhur për t’u larë dhe kanë tërhequr njëri-tjetrin. Është mbytur i pari, ka vajtur për të ndihmuar i dyti. Të tre nuk kanë ditur not, dhe i katërti nuk ka ditur not dhe kanë mbytur njëri-tjetrin. Këtu fatkeqësisht ka pasur disa gropa që janë bërë në kohën e bërjes së HEC-it të Banjës dhe ato gropat janë të menjëhershme, këputen menjëherë. Dhe ata kur janë futur për t’u larë nuk e kanë ditur dhe kanë rënë direkt nëpër ato gropa dhe kështu kanë tërhequr njëri-tjetrin, kanë dashur ta ndihmojnë njëri-tjetrin…Liqeni nuk është për tabela informuese, liqeni është i thellë i gjithë, dihet që nuk duhet të hyjnë njerëzit që nuk dinë not. Ata kanë hyrë… Faktikisht nuk lahen në liqen. Ne e patrullojmë, si shërbim zjarrfikës, edhe dje këtu kemi qenë, deri në darkë vonë se kemi një gomone që patrullojmë vazhdimisht, bëjmë edhe mësime treguese. Fatkeqësisht sot nuk erdhëm, qëlloi keq shumë keq, për ta dhe për familjet e tyre”.-tha kreu i zjarrfikëses.

Ndërkohë për median kanë folur dhe familjarët e viktimave, të cilët mësuan në mbrëmje mbi tragjedinë e rëndë.

‘Ishin duke u larë. Shkuan për tu larë. U nisën nga shtëpia. U nisën në orën 3 dhe në orën 5 i morëm në telefon por nuk po na përgjigjeshin.’- tha një prej të afërmve me lot në sy.

Njoftimi i policisë:

Liqeni i Hidrocentralit të Banjës.

Angazhimi maksimal e profesional i Polumbarëve të Reneas bëri të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë të katër shtetasve të mbytur në liqen, mbasditen e sotme.

Polumbarët e Reneas pas rreth 90 minuta kërkimesh, në kushte të pafavorshme për shkak të errësirës kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë të 4 shtetasve, që u mbytën pasditen e sotme në liqenin e hidrocentralit të Banjës, ( 46-vjeçarit A. Z., të dy djemve të tij, R. Z., 19 vjeç dhe E. Z., 14 vjeç si dhe të 20-vjeçarit M. Z).