Situata me zjarret në Shqipëri: 5 vatra janë ende aktive! Që nga 1 korriku, 17 zjarre u ndezën qëllimisht

Njëlloj si shumë shtete të Mesdheut edhe Shqipëria është përballur këtë verë me temperatura ekstreme e zjarre… fatkeqësisht, disa prej vatrave janë shkaktuar nga dora e njeriut.

Policia raportoi së fundmi se nga 1 korriku deri më 25 të këtij muaji, të paktën në 17 raste, është konstatuar zjarrvënie e qëllimshme. Shumë prej këtyre zjarreve kanë dalë jashtë kontrollit, duke sjellë dëme më të mëdha.

“Megjithë punën parandaluese të bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe masat ndëshkuese për autorët, javën e fundit është konstatuar një rritje e rasteve të zjarrvënies në sipërfaqe bujqësore dhe kullosore dhe për pasojë zjarri është përhapur në sipërfaqe shumë më të mëdha.

… nga data 01.07.2023 deri më datë 25.07.2023, janë konstatuar 17 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr; për 14 nga këto raste janë identifikuar 14 autorë, nga të cilët 1 autor është arrestuar në fshatin Peshtan të Fierit, ndërsa 13 autorë të tjerë në të gjithë vendin janë proceduar penalisht, duke qenë se nuk ka patur dëme të mëdhaja në tokat bujqësore dhe kullosore. Vijojnë hetimet e thelluara në bashkëpunim me Prokuroritë respektive.”-njoftoi policia.

5 vatra aktive në vend

Aktualisht në Shqipëri rezultojnë të jenë 5 vatra aktive zjarri, konkretist në fshatrat Peshtan, Kraps, Gjorgjoz dhe Hekal. Era e fortë ka përhapur flakët duke rrezikur banesat në Kraps (dje), por fatmirësisht zjarrfikësit kanë ndërhyrë në kohë duke shmangur dëmet apo rrezikun në jetë.

Një shqetësim serioz në këto zona ku ka ende vatra aktive, janë municionet e armëve të fshehura që në kohët e trazirave të ’97. Një rast i tillë është konstatuar fare pranë rrugës Fier- Cakran.

Apeli i policisë

Policia e Shtetit ka apeluar të gjithë banorët e zonave që kanë në përdorim sipërfaqe kullotash apo tokë bujqësore, që në asnjë rast të mos orvaten për të kryer djegie, pasi pasojat mund të jenë serioze.

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia e Shtetit është e vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata shtetas që me dashje apo nga pakujdesia djegin pyjet, sipërfaqet kullosore apo pronat private.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.”-mbyllet njoftimi.