Përplasi për vdekje 65 vjeçaren në Fushë Krujë dhe u largua… drejtuesi i makinës një 16 vjeçar

Këtë mëngjes një grua në moshën 65 vjeçare u aksidentua për vdekje në rrugën Fushë Krujë- Tiranë, ndërsa shoferi i makinës që e goditi, rezulton të jetë një i mitur 16 vjeçar.

Ky i fundit u largua nga vendi i ngjarjes. Autoritetet kanë njoftuar së fundmi se e kanë arrestuar të miturin, banues në Krujë.

Viktima tregtonte produkte ushqimore dhe po tentonte të kalonte rrugën kur u përplas nga adoleshenti.

“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e sotme, për aksidentin e ndodhur në Fushë-Krujë, ku drejtuesi i një automjeti aksidentoi me pasojë vdekjen shtetasen M. H. dhe më pas u largua nga vendi i aksidentit, ju sqarojmë se: Shërbimet e Qarkullimit Rrugor Krujë kanë bërë identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, i cili është një shtetas 16 vjeç, banues në Krujë. Në vijim të veprimeve, pas konsultimit me prokurorin e gatshëm, u bë arrestimi i 16-vjeçarit, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”, thuhet në njoftimin e policisë.