I mori jetën të shoqes dhe e hodhi në kanal, flet nëna e moshuar e 55 vjeçarit

I rrethuar nga policia në vendin ku ishte fshehur, 55 vjeçari Gjergji Mullalli i ka dhënë fund jetës, disa orë pasi vrau me armë zjarri të shoqen dhe e hodhi në kanalin e ujërave të zeza.

Ngjarja makabre ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në fshatin Zëmblak të Maliqit, ndërsa këtë të dielë ka folur dhe nëna e moshuar e autorit.

E ulur në derën e shtëpisë së saj, e moshuara u shpreh për median se gjithçka ka mësuar, e ka marrë vesh nga njerëzit që flisnin në rrugë. Ajo shtoi se djali i saj me nusen nuk ishin konfliktuar asnjëherë para syve të saj dhe se kanë jetuar për mëse 2 dekada në Greqi.

 “Mbrëmë nga mezi i natës e mora vesh për nusen, fliste njerëzia. Isha pas derës, një burrë tha Gjergji ka vrarë Luizën. Nuk ziheshin te ne. Ata më shumë se 20 vjet jetuan në Greqi. Tre fëmijë që i kanë, goca e madhe ka një vajzë, e dyta ishte gati për t’u martuar, djali i ka 21 vjeç. Gjergjin kam 2-3 ditë ose më shumë që e kam takuar” tha e moshuara.