Moti freskohet këtë pasdite, të shtunën reshje shiu në Shqipëri

Duke filluar nga pasditja e kësaj të premte, temperaturat në thuajse të gjithë territorin e vendit pritet të ndryshojnë. Dhe për ata që kanë pritur reshje shiu, duket se e shtuna do të jetë dita. Meteorologët parashikojnë se në orët e pasdites dhe mbrëmjes, moti të freskohet, ndërsa të nesërmen parashikohen reshje shiu dhe ulje të mëtejshme të temperaturave.

Paraditen e të shtunës pritet që moti të dominohet nga vranësirat, duke sjellë reshje shiu. Termometri do të zbresë me të paktën 5-6 gradë (vlera maksimale parashikohet 32 gradë celsius), ndërsa pasdite pritet një freskim i mëtejshëm pasi do të ketë sërish reshje.

E diela parashikohet të jetë sërish me mot me vranësira të shpeshta, të cilat herë pas here mund të krijojnë momente reshjesh të pakta shiu, por veçse në disa zona të izoluara të vendit. Në ultësirën perëndimore parashikohet një mot i kthjellët në shumicën e ditës dhe një rritje e lehtë e temperaturave, krahasuar me të shtunën.