Durrës, Arapaj: 59 vjeçari i vë zjarrin kabujve… flakët përhapen dhe djegin 1 dynym tokë

Një 59 vjeçar në fshatin Rrashbull të Durrësit, ka rënë në prangat e policisë nën akuzën e zjarrvënies së qëllimshme. R.K kishte ndezur një zjarr për të djegur disa kabuj, me qëllim që të përfitonte bakrin e tyre. Por flakët janë përhapur me shpejtësi, duke djegur një sipërfaqe prej 1 dynymi tokë, e cila ishte pronë e një tjetër banori atje. Prej flakëve u rrezikuan edhe banesat si dhe u shkaktua ndotje e lartë e ajrit në të gjithë zonën.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Arapaj, një shtetas kishte ndezur një zjarr që po dëmtonte pronat përreth, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve, si dhe arrestimi në flagrancë të autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit R. K., 59 vjeç, banues në fshatin Rrashbull, Durrës.

Për shkak se 59-vjeçari kishte ndezur zjarr për djegien e disa kabllove (me qëllim përfitimin e bakrit), u dogj 1 dynym tokë në pronësi të një shtetasi tjetër, u rrezikua dëmtimi i banesave dhe pronave të tjera përreth, si dhe u shkaktua ndotje e lartë e ajrit në zonë.”-njoftoi policia.