Teleskopi hapësinor James Webb (JWST) ka arritur të fiksojë imazhet e një ylli të largët që ndodhet në fazat e fundit të ekzistencës së tij. Imazhi tregon një nivel të paprecedentë në detaje, teksa në foto dallohen strukturat e gazit (dalë nga shpërthimi i shtresave të jashtme të yllit).
Ylli ndodhet në zonën e njohur si Nebula e Unazës, afro 2600 vite dritë larg Tokës. Shkencëtarët kanë studiuar më në detaje etapat e fundit të ciklit jetësor të një ylli, ndërsa në qendër të Nebulës ka mbetur një “xhuxh i bardhë” (çfarë ka mbetur nga ylli masiv).
“Ne jemi dëshmitarë të kapitujve të fundit të jetës së një ylli, një pamje paraprake të së ardhmes së largët të diellit, si të thuash, dhe vëzhgimet e JWST kanë hapur një dritare të re për të kuptuar këto ngjarje kozmike mahnitëse.”-tha profesor Mike Barlow, bashkëdrejtuesi i ekipit që ndoqi vëzhgimin shkencor.