Një i vrarë e të paktën 17 të plagosur: Si nisi sherri në lokalin në Prishtinë, media e Kosovës publikon pamjet

Një sherr masiv ka ndodhur orët e vona të mbrëmjes së djeshme në një lokal në Prishtinë, atje ku mbeti i vrarë një 39 vjeçar dhe u plagosën të paktën 17 persona të tjerë. Sipas medias në Kosovë, sherri ka nisur pas një konflikti midis disa personave me precedentë penalë, të cilët kanë nxjerrë armët e janë qëlluar mes tyre. Mediat e Kosovës kanë përcjellë një sërë emrash e nofkash të personave që u përfshinë në konflikt.

“Insajderi” raportoi se sherri ka nisur pas një sulmi me shishe birre, ardhur për shkak të një konflikti të mëhershëm. Siç raporton Insajderi, Hysni Geci ishte nën shoqërinë e “Dukës” (Dukagjin Nikollaj) dhe Kastriot Ramadanit, kur në tavolinë kanë ftuar Andi Pajazitin, i njohur me nofkën “italiani”. Për shkak të një konflikti të mëhershëm, ata sulmuan “Italianin” me një shishe birre e prej këtu mandej, kanë nisur të shtënat me armë ndaj njëri- tjetrit. Viktimë mbeti Kastriot Ramadani, 39 vjeçar, ndërsa të plagosur nga të shtënat të paktën 4 persona, tre djem e një vajzë. Hysni Geci, Gëzim Zakuti e Andi Pajaziti ndodhen në ndalim policor (aktualisht në ambientet e QKUK-së). Ndërsa Dukagjin Nikollaj ka arritur të ikë nga policia dhe aktualisht ndodhet në arrati. “Insajderi” shkruan se ky i fundit është person i kërkuar edhe në SHBA, pasi dyshohet për trafik droge. “Italiani” po ashtu rezulton të jetë person me precedentë penale.

Si pasojë e përleshjes masive, u plagosën edhe plot persona të tjerë që ndodheshin në lokal. Sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, në spital u paraqitën 17 persona, prej tyre 7 të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta (shishet, xhamat, etj)

“Ndërkaq, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor, një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror. Numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ishte 17. Prej tyre, 7 të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta”, njoftoni SHSKUK.

Ndërkohë këtë të shtunë, RTK-ja ka publikuar disa pamje të rënda, regjistruar fill pas sherrit masiv në ambientet e lokalit.

Kujdes, pamje të rënda

Mbi ngjarjen reagoi dhe Ministri i Brendshëm Xhelal Zveçla

“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer.

Ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës. Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë.

Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë.

Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë.

Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!

Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre.

Është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal.

Drejtësia është virtyt që duhet mbrojtur nga e tërë shoqëria, përfshirë aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët. Ndjenja e të drejtës duhet të jetë shqetësim për të gjithë ne. Shembujt e ndëshkimit të krimit shërbejnë edhe si mbështetje për rolin e policisë sonë.

Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme!”-shkroi Zveçla përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Së fundmi në lidhje me këtë ngjarje të rënda, pati raportime në media se ndër të lënduarit kishte dhe një pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Një detaj i tillë është mohuar nga zv.Ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, i cili tha për Klan Kosovën se “Mund të ju konfirmoj se i vrari në këtë ngjarje tragjike nuk është pjesëtar i FSK-së dhe nuk ka të përfshirë nga FSK-ja në këtë rast”