Qerret, i zuri përfund soleta e banesës: Ndërron jetë pronari godinës, tjetri dërgohet në spital i plagosur

Soleta e një banesë të vogël në zonën e Qerretit është shembur këtë të hënë, ndërsa zuri përfund dy persona. Zjarrfikësit mbërritën në vendin e ngjarjes dhe mundën t’i nxjerrin gjallë të dy personat, por fatkeqësisht njëri prej tyre ndërroi jetë rrugës për në spital, si pasojë e lëndimeve të shumta. Sipas policisë viktimë mbeti pronari i godinës, ndërsa personi tjetër, një i ri në moshën 27 vjeçare, mori lëndime në kokë dhe trup.

Të dy burrat po kryenin punime atje, në momentin kur soleta është shembur.

“Rreth orës 13:15, në fshatin Qerret, është shembur tarraca e banesës së shtetasit Sh. Sh., rreth 55 vjeç, dhe ka zënë poshtë shtetasin Sh. Sh. dhe shtetasin A. R., 27 vjeç (i punësuar nga shtetasi Sh. Sh.), të cilët po kryenin punime ndërtimi.

Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga rrënojat, të të 2 shtetasve. Shtetasi Sh. Sh. (pronari i banesës), për shkak të dëmtimeve, ka humbur jetën, ndërsa shtetasi A. R. është transportuar menjëherë në spital dhe po merr asistencë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.”-njoftoi policia.