Tragjedi pranë Siçilisë, 41 emigrantë mbyten, 4 të mbijetuarit rrëfejnë çfarë ndodhi

41 emigrantë të nisur nga Tunizia kanë gjetur vdekjen në brigjet e Italisë, teksa barka e tyre u fundos pranë Siçilisë

Ata që e rrëfyen tragjedinë e radhës në Italinë fqinje, ishin vetë 4 të mbijetuarit, tre burra dhe një grua që arritën të shpëtohen nga roja bregdetare. Të mbijetuarit vinin nga dy shtete afrikane (Bregu Fildishtë e Guinea). Mes viktimave që u mbytën në ujërat e Italisë, kishte 3 fëmijë.

Të mbijetuarit treguan se pas afro 6 orësh lundrim, varka 7 metra me të cilën udhëtonin u kthye përmbys për shkak të dallgëve të forta. Të gjithë ranë në det. Ansa shkruan duke iu referuar rrëfimit të të mbijetuarve se nga 45 vetë në bord, 15 kishin veshje shpëtimi, por edhe këta të fundit sërish u mbytën.

4 personat që mbijetuan treguan se kanë qëndruar për orë të tëra në det, derisa kanë arritur të ngjiten në një varkë të braktisur dhe pa motor, me gjasë e përdorur nga trafikantët për transportimin e emigrantëve.

Sipas dëshmive të ‘ngatërruara’ të të mbijetuarve shkruan Ansa, ata kanë qëndruar të paktën 3-4 ditë në atë varkë, nën mëshirën e rrymave detare, derisa janë pikasur e shpëtuar. Aktualisht të mbijetuarit po qëndrojnë në Lampedusa.