Greqi: Punëtori shqiptar humb jetën në vendin e punës

Një punëtor 31 vjeçar shqiptar, ka humbur jetën në mënyrë tragjike ditën e djeshme në Volos, teksa punonte në taracën e një godine industriale. I riu ishte në lartësi 15 metra duke punuar, kur një pjesë e çatisë u shemb duke bërë që punëtori të humbë ekuilibrin e të rrëzohet.

Kolegët e 31 vjeçarit lajmëruan ambulancën. Në vendin e ngjarjes mbërritën mjekët e urgjencës por ata nuk kanë mundur të bëjnë dot gjë për punëtorin, pasi ai kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta në trup dhe kokë.

Hetimet kanë nisur mbi rastin dhe siç shkruan media lokale, dyshohet se i riu nuk kishte në trup asnjë pajim sigurie. Policia e Riga Feraio po kryen hetimet paraprake për aksidentin. Janë marrë edhe deklarimet nga dëshmitarët që ndodheshin para ngjarjes, për të sqaruar rrethanat e sakta në të cilat humbi jetën punëtori 31-vjeçar.

Trupi i të riut, i cili mësohet se ishte banues në Athinë, është dërguar në Spitalin e Volos, për t’u dërguar në Mjekësinë Ligjore të Larisës për autopsi.