Zjarret u marrin jetën të paktën 80 personave në Maui, qytetari filmon arratisjen e tij nga qyteti i shkrumbuar prej flakëve

Të paktën 80 persona janë konfirmuar të vdekur nga zjarret e egra që kapluan ishullin havajan të Mauit, thanë zyrtarët lokale atje. Frika se numri i të vdekurve do të rritet ndjeshëm është e madhe, pasi qindra njerëz rezultojnë të humbur.

Pamjet e përcjella në mediat e huaja tregojnë një zonë tërësisht të shkretuar nga flakët që nisën në fillim të kësaj jave dhe ende nuk janë vënë tërësisht nën kontroll. Qyteti turistik i Lahaina-s në Maui është shkrumbuar thuajse i tëri, ndërsa mijëra u detyruan të braktisin shtëpitë e gjithçka kishin për të shpëtuar.

Njëri prej tyre, ka rrëfyer për BBC-në tmerrin e përjetuar teksa ka arritur të filmojë çastet e arratisjes së tij prej flakëve e tufanit të erës, që mbuloi zonën me thëngjij flakërues (shiko videon poshtë).

“Era po frynte aq fort saqë dukej si një ferr i vërtetë… është mënyra e vetme për ta shpjeguar. Kishte thëngjill që fryhej kudo nga era, duke ndezur në zjarr gjithçka që prekte. Kam tre ditë që po pastroj veshët dhe ende nxjerr gjëra të zeza, aq shumë ishim të mbuluar nga hiri kur u larguam. Në këtë video (ku duket duke udhëtuar me makinë) ishte ora rreth 7. Tymi po fryhej nga era dhe dielli dukej veçse pak… një skenë apokaliptike. Sot do mundohemi të rikthehemi, autoritetet lokale kanë lejuar disa rezidentë që të kthehen në shtëpitë e tyre. Jam shpresëplotë, shpresoj do ia dalim, se fundja kjo është shtëpia ime e nuk kam ndërmend të iki.”-tha qytetari për BBC-në.