“E ngritën nga buka dhe e qëlluan me thikë” Banorët e zonës në Bulqizë tregojnë si humbi jetën 26 vjeçari

Banorët e zonës kanë treguar detaje me të vërtetë të dhimbshme për mënyrën sesi 26 vjeçari Dritan Manjani humbi jetën (në orët e mbrëmjes së djeshme) në Bulqizë. I riu u qëllua me thikë nga një 30 vjeçar i quajtur Dorjan Mema, fill pas një zënke në një lokal.

26 vjeçari kishte shkuar në shtëpi dhe po konsumonte darkën me familjarët, në momentin kur para portës së shtëpisë së tij vjen autori dyshuar dhe nis t’i bjerë borisë.

Dëshmitarët e ngjarjes e të njohur të viktimës, treguan për interes të medias, se i riu u qëllua menjëherë sapo doli nga shtëpia… ndërsa nënës së tij, i kishte thënë se do të bëhej më mirë, kur kjo e fundit e pa të shtrirë në tokë e me plagë të rënda në trup.

“Ai ka qenë djalë më i mirë që nuk e bën nëna, ka qenë flori. Edhe ti bije ai nuk kthente dorë. Ka punuar në Greqi fukarai. Ishte i pamartuar. Nuk kanë pasur konflikt. Kanë qenë duke pirë (autori me miqtë e tij), e ka parë një djalë i imi duke pirë pastaj ndodhi kjo ngjarja. Kanë ardhur dy makina këtu, e kanë thirr këtë djalin dhe ky ka dalë jashtë, kur atëherë ka ndodhur vrasja këtu te shtëpia. Kanë ardhur që atje me makina natën. Nëna e vet ka thënë se ishte duke ngrënë bukë dhe ka thënë dil ‘se mos ke zënë rrugën me makinë’. Pastaj e ka parë djalin, e kanë goditur por se ka parë njeri. ‘Mos u bëj merak se do përmirësohem i ka thënë nënës.”- tregon banori.

Një tjetër i njohur i viktimës, tregoi se çfarë ndodhi në lokal, pak para se autori dyshuar me miqtë e tij të vinin në shtëpinë e të ndjerit.

 “Ishin duke ngrënë dhe duke pirë 5 veta, unë me viktimën ishim në tavolinë tjetër. Ne ishim në tavolinë duke pirë kafe. Unë u largova, viktima pastaj sdi më. Kanë pasur sherre, në lokal ka nisur konflikti. Pastaj kanë ardhur duke e kërkuar natën, ai ishte duke ngrënë bukë dhe e kanë vrarë me thikë.”