Hyri të shuajë konfliktin, u godit me thikë! Oficeri 28 vjeçar në gjendje të rëndë, prangoset autori 60 vjeçar

Në orët e mbrëmjes, inspektori i policisë në Lukovë Redin Çaushaj ndodhej në fshatin Pilur, kur ka pikasur një sherr mes dy personave. Edhe pse jashtë orarit zyrtar të detyrës, 28 vjeçari ka ndërhyrë për të shuar konfliktin. Në orvatje për të ndaluar sherrin, 60 vjeçari Theodhori Mërkuri e ka goditur me thikë në qafë oficerin e ri. Autori u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa inspektori i policisë u dërgua në gjendje të rëndë në spital.

 “Rreth orës 23:00, te kthesa e fshatit  Pilur, disa shtetas po konfliktoheshin  fizikisht me njëri-tjetrin. Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë R. Ç., 28 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit ishte duke kaluar në rrugë dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, njëri prej tyre, shtetasi  Th. M., 60 vjeç, nga fshati Pilur, e ka goditur me mjet prerës thikë dhe për pasojë punonjësi i Policisë është në gjendje kritike për jetën. Shtetasi Th. M. pasi ka goditur punonjësin e Policisë është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira.”-njoftoi policia.

Pas 8 orësh kërkime nga policia, grupi i FNSH-së dhe njësia operacionale në Vlorë, Mërkuri është prangosur në ambientet e një ish reparti ushtarak.

Pas 8 orësh kërkime dhe ndjekje, shërbimet e Policisë, mëngjesin e sotëm, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga 60-vjeçarin Th. M., i cili ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, kanë arrestuar në flagrancë 60-vjeçarin Th. M., për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë. Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, thotë policia.

Ndërkohë 28 vjeçari ka qëndruar prej orësh në sallën e operacionit si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore dhe plagës së marrë. Thirrjes për të dhuruar gjak për inspektorin, i janë përgjigjur kolegët e tij.