Zjarret në Kanada: Të tjera qytete në gadishmëri për evakuim, zjarret djegin mbi 2 milionë hektarë toka e pyje

Pas evakuimit të një qyteti të tërë (Yellowknife) me afro 20 mijë banorë, të tjera qytete rrezikohen nga përhapja masive dhe e paprecedentë e flakëve në Kanadanë e largët.

Kryeministri i provincës së Kolumbias britanike (British Columbia) David Eby, lajmëroi për shpalljen e gjendjes së emergjencës, duke thënë se “përgjatë 24 orëve të fundit situata është përshkallëzuar me shpejtësi, në ditët në vijim na pret një situatë jashtëzakonisht sfiduese”

Rreth 15 mijë familje janë urdhëruar të largohen nga Kolumbia Britanike ndërsa zjarrfikësit luftojnë me zjarret që kanë kapluar shtëpitë e mbi 10 mijë hektarë tokë në veri të Kanadasë.

BBC raporton duke iu referuar autoriteteve atje, të cilat njoftuan se një numër i konsiderueshëm i shtëpive në Kelounan Perëndimore (West Kelowna) janë djegur, ndërsa qyteti me 36 mijë banorë bëhet gati për mundësinë e evakuimit të mijëra e mijëra qytetarëve të tjerë.

Situata duket aq kritike, saqë në Kolumbian Britanike urdhrat për evakuim u rritën brenda orës nga 4 mijë shtëpi në 15 mijë të tilla. Afro 20 mijë familje të tjera, janë lajmëruar për rrezikun në ditët në vijim.

Kanadaja përballet me sesonin më të rëndë të zjarreve të egra, ndërsa të paktën 1,000 vatra janë aktive. Zjarret deri më tani kanë djegur më shumë se 2 milionë hektarë tokë.